Vranë babanë e tyre, motër e vëlla ndërrojnë sërish dëshminë, Hygerta: Babain e vrava unë, jo Hyseni

Këtë të hënë në gjykatën e Durrësit janë paraqitur tre fëmijët e Pëllumb Metës, 50 vjeçarit i cili u gjet i groposur në kasollen e bagëtive në shtëpinë e tij.

Teksa pritet masa e arrestit për ta, Hysen e Hygerta Meta kanë ndërruar sërish pretendimet e tyre se cili është autori i vërtetë e vrasjes së babait. Ndryshe nga sa kanë pohuar para hetuesve në polici, Hysen Meta ka thënë përpara trupës gjykuese se babanë nuk e ka vrarë ai por e motra 19 vjeçe, Hygerta.

 “Nuk e kam bërë unë vrasjen. Motra e vogël ka qëlluar babanë. Ka pasur konflikte motra me babanë. Unë nuk kam pasur marrëdhënie shumë të mira me babanë. Kam qenë i hutuar, ndaj pranova krimin”, tha ai në sallën e gjyqit.

Vetë 19 vjeçarja po ashtu ka dalë me pretendimin se është ajo njeriu që qëlloi 4 herë me pistoletë në drejtim të të atit.

“Mendova t’ia lija vëllait fajin. Vëllai ka qenë në Itali dhe ishte kthyer pak ditë para ngjarjes. Në dhjetor me tha (babai) të fejohesh, i thashë jo. Nga refuzimi që i bëra, mendova se do të më vriste. Ka prishur bombolen e gazit me qëllim që të më vriste mua. Por unë nuk gatuaja më te bombola gazit, nga frika, gatuaja me korent. Nje here e goditi nënën në zemër dhe e la pa frymë. Na kërcenonte vazhdimisht, do t’u vras, do t’u zhduk.

Dy ditë para ngjarjes e refuzova sërish për fejesën. Erdhi babi nga puna, hengri drekën dhe ishte shtrirë. Mora armen që ndodhej në dhomën paralel. Ishte te dhoma gjumit, arma ne sirtar. I thashë; çohu në këmbë, më tha ik. Jam penduar që e kam bërë këtë veprim po isha e detyruar”-tha 19 vjeçarja para gjykatës.