“Vrapoi pak metra dhe u rrëzua” Dëshmia e gruas që pa atentatin në Shkodër, autori u largua me biçikletë

Një 40 vjeçar është qëlluar me armë zjarrë këtë të hënë në Shkodër, ndërsa autori i atentati është filmuar nga kalimtarët teksa largohet nga vendi i ngjarjes në biçikletë.

Autori i dyshuar, filmuar nga kalimtaret. Foto: Abcnews.al

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 të paradites në vendin e njohur si ‘Dollari’. I plagosur ka mbetur Aleksandë Curaj, i cili aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një grua e cila po lypte në anë të rrugës ka qenë e para e cila ka shkuar t’i japë ndihmë të riut që u qëllua me armë. Ajo tregoi se i riu vrapoi për pak metra pas të shtënës dhe më tutje u rrëzua përtokë.

“Iku me vrap, ra aty. I dhashë ndihmën. Isha këtu duke lypur, shkova me vrap atje, e pashë që ra në tokë. Unë nuk e njoh. Sa shkova unë, më tha; më jepni ndihmë. Erdhi polici rrugor, i dha ndihmën. Në stomak e kishte problemin, aty e kishte plagën, gjak shumë. Në këmbë, ka ikur me atje me vrap dhe u fut në qoshe, nuk di gjë tjetër. Unë, askush nuk i dha ndihmën e parë. E pashë dhe e ndihmova”, tha gruaja.

Policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes.

“Rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Dollari”, është plagosur me armë zjarri shtetasi A. C., 40 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe po merr ndimën mjekësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, për kapjen e autorit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit”, thuhet në njoftimin e policisë.