Vrasja e jetimit në Kosovë, autori kryesor kishte pasur 9 vepra penale të mëhershme

I dyshuari kryesor për vrasjen e jetimit 18 vjeçar Lulzim Fejzullahu, rezulton të ketë patur 9 vepra penale të mëhershme në policinë e Kosovës.

Të paktën kështu ka deklaruar kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, fill pas një mbledhje të mbajtur për sigurinë në këshillin bashkiak.

“Njëri prej individëve që dyshohet se është pjesë e këtij rasti, është nxënës i një shkolle të mesme në qytetin e Podujevës, ndërsa tjetri ka dy apo tri vite që ka qenë nxënës i shkollës, i cili për sjellje jo të mira është larguar nga shkolla dhe ka braktisur shkollimin e mëtejshëm pas disa veprave që i ka bërë qoftë në shkollë, qoftë në ambientet tjera. U informuam nga organet e rendit, të cilat e kanë kryer punën e tyre, kanë iniciuar rastet. Me këto raste është marrë gjyqësia dhe prokuroria, dhe njëri prej tyre, në këtë fazë kur ka ndodhur tash rasti, faktikisht ka qenë i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për një rast të mëhershëm dhe faktikisht ka pasuar ky rasti që është aktualisht”, tha Bulliqi 

Lulzim Fejzullahu u përcoll për në banesën e fundit të dielën. Pas 6 ditëve në spital e pavarësisht orvatjeve të mjekëve, i riu u shua ditën e shtunë si pasojë e plagëve të shumta që mori në kokë.

18 vjeçari nuk i kishte të dy prindërit, e kësisoj edhe punonte për të përballuar jetesën. Ai kishte gjetur punë në një qebaptore. Pronari i biznesit aty tregoi për Nacionale-n se Lulzimi ishte djalë i urtë dhe shembullor.

 “Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas”, tha ndër të tjera pronari i lokalit në të cilin punoi Lulzimi.