Vrasja e Marigona Osmanit, të premten vendos drejtësia! Dardan Krivaqa: Kisha dashtë me e kthy kohën pas…

“Shpreh keqardhje, m’vjen keq për çkado që ka ndodh edhe që i kom lëndu… Çkado që thom nuk ka vlerë. Ma shumë se unë që e ka deshtë të ndjerën s’e ka deshtë kërkush. Me pasë mujt me e kthy kohën mas krejt, kurrgjo s’kisha dashtë ma shumë”.

Këto ishin fjalët që ka thënë Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për dhunimin e më pas vrasjen e Marigona Osmanit. Këtë të martë në gjykatën themelore të Ferizajt u mbajt seanca e fundit gjyqësore, ndërsa të premten (4 gusht) pritet të jepet vendimi përfundimtar për Krivaqën dhe të akuzuarin tjetër, Arbër Sejdiu.

Familja e Marigona Osmanit kërkoi përmes avokatit mbrojtës Gazmend Rexhepi, që të dyshuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë në fjalën e tij, avokati mbrojtës i Krivaqës, Admir Salihu, u shpreh se ka marrë afro 2 mijë sms me komente të rënda.

“Kam marrë 1 mijë e 800 sms me komente si “pastë gruaja jote fatin e Marigonës”, “pastë vajza jote fatin e tillë”, tha avokati Salihu, duke shtuar se rasti është ekzagjeruar nga publiku. Ai shtoi më tutje se prokuroria ka një aktakuzë të dobët.

 “Prokuroria ka dështuar qartazi të provojë motivin, nëse motivi ka qenë tradhtia”, ka thënë tutje avokati Salihu.

“Ju njoftojmë se të premten më 4 gusht 2023, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K.,  i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.