Vrau kushëririn në 2015 për 12 mijë lekë, dënohet me 20 vite burgim Granit Shehu

Gjykata e Apelit ka dënuar me 20 vite burgim 40 vjeçarin Granit Shehu, i cili në vitin 2015 masakroi me 12 goditje thikë kushëririn e tij Milazim Shehu në zonën e Kamzës.

Shehu u dënua në mungesë një vit pas ngjarjes me 24 vite burgim, ndërsa arrestimi i tij u bë në vitin 2019 pas ekstradimit të tij nga Londra, vend ku ai ishte arratisur për t’ju shmangur drejtësisë.

Pa një procesi të gjatë, gjykata e Apelit ka vendosur që Shehu të dënohet me 20 vite burgim, nga të cilat ai do të kryejë 13 vite si pasojë e uljes së dnëimit me 1/3.

“Në përfundim të gjykimit, më datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 3314 , datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si vijon:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni  76 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

-Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri G (G). Sh denohet me 13 (trembëdhjetë)  vjet e 4 (katër ) muaj burgim.”-njoftoi gjykata

Ngjarja

Në vitin 2015 Granit Shehu shkoi të debatojë me djalin e xhaxhait të cilin e kishte komshi në Kamëz. Ai akuzonte vajzën e kushëririt të tij se i kishte vjedhur nga banesa 12 mijë lekë të reja (120 mijë lekë të vjetra).

Në debat me kushëririn, Granit Shehu ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur Milazim Shehun të paktën 12 herë. Më tutje është larguar nga vendi i ngjarjes. Milazim Shehu është shtruar në spital dhe ka vdekur disa orë më vonë si pasojë e plagëve të rënda.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Apelit

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale G (G). Sh, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim’’, të parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 16.09.2015, në rrugën “Horizonti”, të Bashkisë Kamëz. Shtetasi me iniciale M. Sh është goditur nga i pandehuri G. (G). Sh (kushëriri i tij), disa herë me mjete të forta dhe prerëse, duke i shkaktuar atij plagë të rënda, deri në humbjen e jetës.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin nr. 3314, datë 31.10.2016 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”,  dhe në bazë të nenit 78/2 të  Kodit Penal e dënon atë me 24 (njëzetekatër) vjet burgim.

2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri G (G). Sh dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej  16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.

3. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga data e arrestimit.

Çështja në apel është shqyrtuar mbi bazën e ankimeve:

1.Nga Prokuroria  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkoi:

– Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor  Tiranë ndaj të pandehurit me iniciale G (G). Sh .

-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh ., për kryerjen e veprës  penale “Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje në dëm të shtetasit me iniciale M.SH”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.Nga i pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh  i cili kërkoi :

-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh për veprën penale të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal “ Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” apo 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse. 

Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 2082, datë 03.10.2018 ka vendosur:

-Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 3314, datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë ushtruar rekurs :

1.Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë e cila kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim kësaj gjykate”.

2. I pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh  i cili ka kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim duke urdhëruar ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga neni 78/2 të K.Penal “Vrasja me paramendim” në veprën e parashikuar nga neni 82 të K.Penal “Vrasja në kushtet e tronditjes së fortë psikike” ose neni  83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse. 

Gjykata e Lartë bazuar në nenin 112/3 , të K.Pr.Penale  ka konstatuar palvefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për mungesë të arsyetimit  lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale  të “Vrasjes me paramendim”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal, dhe me vendimin nr. 298, datë 07.11.2023  ka vendosur:

“Prishjen e vendimit nr. nr. 2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me tjetër trup gjykues”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 3314 , datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si vijon:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni  76 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

-Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri G (G). Sh denohet me 13 (trembëdhjetë)  vjet e 4 (katër ) muaj burgim.

-Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij.