“Wild West” në Prishtinë, dy familjet përplasen me armë: Një i ri humb jetën, 5 plagosen

Pak para mesnatës, një përplasje e madhe me armë ka ndodhur në një prej rrugëve të Prishtinës, ku për pasojë humbi jetën një djalë në moshë të re dhe 5 persona mbetën të plagosur.

Ky është një ndër momentet e regjistruara me kamera amatore, nga të shtënat

Media vendase raporton se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet. Disa mjete kanë ndaluar dhe prej aty disa persona kanë nisur të qëllojnë mbi njëri- tjetrin me armë zjarri.

Vendngjarja e rrethuar nga policia ne mbremje

Rreth 100 të shtëna janë qëlluar si pasojë e përplasjes mes dy familjeve, që mediat në Kosovë i identifikojnë si familja Sekiraqa e Capa (Gashi). Sipas asaj që është zbuluar deri më tani dhe nga autoritetet, përplasja ka ndodhur për shkak të konflikteve të mëhershme. E në fakt përplasja mes këtyre dy fiseve nuk rezulton të jetë e para, pasi disa muaj më parë pjesëtarë të familjeve janë rrahur mes tyre, ndërsa një vit më herët janë përplasur me armë zjarri.

Viktima, Premtim Gashi

Këtë të hënë, mediat në Kosovë kanë identifikuar emrat e personave të përfshirë në përplasjen me armë. Viktima është identifikuar si Premtim Gashi. Nga familja Sekiraqa, i plagosur rëndë është Salih Sekiraqa, 47 vjeç. Po ashtu, janë plagosur Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica (29 vjeç), Fatos Abazi (35 vjeç) dhe Valdrin Ademi (21 vjeç). Llumnica dhe Ademi janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Nje arme e gjetur ne vendin e ngjarjes/ Foto nga T7

Në spital ndërkohë, mjeku tregoi për median mbi gjendjen e një prej të plagosurve.

“Mbrëmë janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe është parë që ai ka nevojë për përcjellje, të paktën për 24 orë në klinikën tonë. Momentalisht është në gjendje stabile, ka një plagë më armë zjarri në kafaz të kraharorit dhe në parakrah, por nuk ka pasur ndonjë indikacion për intervenim kardiokirurgjik. Mjafton një përcjellje e vazhdueshme tij”, ka thënë mjeku Endrit Shala.

Nga ana e policisë është bërë me dije se pesë personat e plagosur janë dërguar në spital (QKUK), nën masën e ‘arrestit dhe mbikqyrjes policore’.

Këtë të hënë prokuroria bëri me dije disa detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Zejnullah Gashi, së bashku me Prokurorin kujdestar kanë dal në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë konstatuar se në këtë rast kemi të bëjmë me një përleshje në mes dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme, ku si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të dyshuar tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe janë dërguar Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe për momentin janë jashtë rrezikut për jetë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës si dhe janë kryer veprimet hetimore nga Njësia e Forenzikës. Po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë Autopsia.

Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona, si dhe janë duke u zhvilluar veprime hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast pasi që dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë ende të pa identifikuar.”-thuhet në njoftim.

Më poshtë njoftimi i policisë së Kosovës

“VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e  plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion”.