Personi që i mori jetën 3 grave dhe la të plagosur 3 persona të tjerë gjatë të mërkurës, i kishte planifikuar në detaje lëvizjet, gjatë kohës që kishte qenë në burg.
Është zbardhur tashmë dëshmia e Dan Hutrës. 40 vjeçari jo vetëm që nuk është shfaqur i penduar, por ka deklaruar se pasi të kryente krimet, do të vetëdorëzohej. Ai u tregoi hetuesve se kishte 4 objektiva, dy prej të cilave nuk arriti t’i çojë në fund. Në zonën e Astirit Dan Hutra qëlloi me armë të ftohtë një grua me të cilën kishte patur lidhje dikur, por nuk mundi t’i marrë jetën.
“Ajo (M.Gurakuqi) u largua dhe në dyqan u futën njerës të tjerë. Më kishte 80 mijë euro borxh.Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera.”-ka thënë 40 vjeçari para hetuesve.
Mandej autori ka udhëtuar me makinë në drejtim të banesës së familjes së ish bashkëshortes, me qëllim për t’i marrë jetën ish-vjehrrit. Kur nuk e ka gjetur këtë të fundit në banesë, ai ka hapur zjarr ndaj katër grave që ndodheshin atje, duke i marrë jetën dy prej tyre.
“Më pas shkova në Kodër-Kamëz, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta më shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë.”-ka rrëfyer para hetuesve Hutra.
Sërish përmes makinës, Hutra është nisur drejt shtëpisë së Vladimir Kurtit, një personi të dënuar përjetë për një krim të kryer në vitin 2018. Hutra e ka njohur në burg Kurtin dhe me të ka patur konflikte. Në shenjë hakmarrje, ai kishte dashur t’i vriste një njeri të afërt.
“Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar.”-tha para hetuesve Hutra.
Së fundmi, Hutra ka udhëtuar drejt zonës së Sharrës dhe ka pritur derisa të identifikojë një banor të zonës atje. Ai ishte i bindur se ky i fundit ishte në njëfarë mënyrë i përfshirë në një ngjarje për të cilën qytetari s’kishte patur fare lidhje. Në këtë zonë, disa persona e kanë njohur Hutrën dhe kanë njoftuar policinë, atje ku u bë dhe arrestimi i 40 vjeçarit.
“Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie te cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4 unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg”, thuhet në dëshminë e tij.