Zbardhet dinamika e ngjarjes në Durrës, policia: Babain e ka vrarë djali 24 vjeçar

Policia e Durrësit ka zbardhur tanimë dinamikën e vrasjes së 50 vjeçarit Pëllumb Meta në fshatin Shënavlash të Durrësit. Ekzekutor i babait rezulton të jetë djali 24 vjeçar Hysen Meta, i cili ka shkrepur armën dhe i ka marrë jetën të atit.

Hygerta, 19 vjeçarja e cila u arrestua e para dhe pretendonte se ishte ajo autorja, ka qenë bashkëpunëtore në krim së bashku me vëllanë tjetër 22 vjeçar Amarildo Meta. Ky i fundit ka ndihmuar në fshehjen e trupit të të atit. Tanimë policia i ka arrestuar dhe dy vëllezërit dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe për bashkëshorten e të ndjerit.

Vrasja është kryer në ambientet e brendshme të shtëpisë, ndërsa më tutje trupi është varrosur në afërsi të kasolles në oborr. Arma e krimit po ashtu është gjetur në një zonë moçalore, jo shumë larg banesës.

 “Rezulton se vrasja ka ndodhur në ambientet e brendshme të banesës në një prej dhomave dhe më pas trupi është varrosur në ambientet e jashtme, në kasollen që ndodhej aty afër. Gjatë këtyre veprimeve, në banesë janë gjetur pjesë të armëve të tjera (AK47), është sekuestruar municion luftarak dhe veshje të tjera që janë përdorur për kryerjen e këtij krimi.

Në tërësinë e të gjithë veprimeve, pas një pune volumizone, është gjetur edhe arma e krimit, me të cilin ishte kryer kjo ngjarje, në një zonë mocalore në vendin e quajtur vaska në afërsi të banesës. Shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje kanë deklaruar se motivi i vrajses kanë qenë konfliktet e vazhdueshme familjare dhe nxitja që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj. Nga gjithë veprimet hetimore, rezultoi se djali i familjes ka kryer qitjen.

Shtetasit e përfshirë, kanë deklaruar se motiv kanë qenë konfliketet e vazhdueshme familjare dhe nxitja e babait që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj. Të gjitha materialet janë dërguar në prokurorinë e Durrësit dhe hetimet vijojnë ende për të parë nëse ka të tjerë persona të implikuar në këtë çështje.

Nga hetimet deri më tani rezulton se qitës ka qenë djali  24 vjeçar. Nuk mund të jap detaje për rolin e 19 vjeçares edhe për arsye të sekretit hetimor. Por edhe 19 vjeçarja ka qenë e përfshirë dhe dihet që arsyeja ka qenë konflikti për shkak të fejesës.

Ekzekutori e ka pranuar akuzën. Të gjithë janë vendosur në pozita pohuese të këtij krimi të rëndë dhe secili ka shpjeguar rolin e tij/saj dhe çfarë ka ndodhur. Motra, në momentin e parë, pranoi se ajo e kishte kryer, por hetimet kanë treguar ndryshe. Është bërë punë e palodhur deri në zbulimin e të gjithë autorëve. Hetimi është mbyllur me sukses.

Në lidhje me ditën orën e vrasjes, mjekësia ligjore ka vërtetuar datën 10 shkurt “-tha shefi i policisë së Durrësit Skënderj Hitaj.