Zbardhet plagosja e të moshuarit në Korçë, e goditi miku i tij 72 vjeçar pas disa gotash alkooli

Është vënë në pranga autori i dyshuar i plagosjes së rëndë të një të moshuari në qytetin e Korçës, ngjarje e cila ndodhi në orët e mëngjesit të së enjtes në lagjen nr.15.

Autori rezulton të jetë një 72 vjeçar, i njohur i Gaqo Tilit, 81 vjeçari i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy të moshuarit kanë kthyer disa gota alkooli. Më tutje ata kanë nisur debatet të cilat i kanë lënë vendin dhunës.

Njoftimi i policisë: 

Korçë/Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr.15, ku në banesën e tij, u gjet i dëmtuar me sende të forta, një 81-vjeçar.

Policia identifikon, kap dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, në lidhje me ngjarjen ku në lagjen nr. 15, Korçë, në banesën e tij u gjet i dëmtuar me sende të forta shtetasi G. T., 81 vjeç, ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj personit të DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:

-G. A., 72 vjeç, banues në Korçë.

Nga veprimet e kryera rezulton se ky shtetas ka qenë së bashku me shtetasin G. T., në banesën e këtij të fundit, ku dyshohet se në gjendje të dehur e ka goditur 81-vjeçarin me sende të forta. Shtetasi G. T., vijon të ndodhet në spitalin e Korçës në kujdesin e mjekëve.

Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.