Zbardhet vdekja e biznesmenit në Sarandë:  Shkoi të vendosë tritol ‘konkurrentit’, i plasi në dorë

Një muaj më parë një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në portin e Sarandës, ndësa trupi i 52 vjeçarit Armand Nelaj u gjet i pajetë në ujë. Për identifikimin e viktimës u deshën disa ditë, ndërsa pista kryesore në fund të qershorit ishte një ngjarje aksidentale që me gjasë kishte ardhur si pasojë e shpërthimit të bombulës së oksigjenit të Nelajt.

Mëse 1 muaj pas ngjarjes së shënuar më 24 qershor, policia ka zbardhur motivin, dinamikën dhe krejt çfarë ndodhi atë mbrëmje. Viktima ka hyrë në ujë me lëndë eksplozive e cila për ‘adresë’ kishte një anije në pronësi të dikujt tjetër, të ‘konkurrentit’. Por skenari ka shkuar si mos më keq, pasi në orvatje për të fundosur anijen e konkurrentit, eksplozivi i ka plasur në dorë 52 vjeçarit.

Motivi, dinamika ngjarjes

Paraditen e 5 majit të këtij viti, në portin e Sarandës u dogj një target i linjës drejt Korfuzit. Ngjarja u mbyll pa autorë. Një muaj më tutje, më 24 qershor, ndodhi shpërthimi ku humbi jetën Nelaj. Anija e djegur e majit, ishte në pronësi të Erdion Muhos, shok dhe mik i viktimës 52 vjeçar.

Sipas hetimeve, të dy bashkë ata kishin planifikuar një plan ‘hakmarrje’, të bindur se konkurrenti tyre kishte kryer ngjarjesn e majit. Orët e para të mëngjesit të 24 qershorit, Nelaj u nis me gomone dhe me sasi eksplozivi për ta vendosur në anijen në pronësi të Andrea Qirjakos, i cili po ashtu kryente udhëtime me itinerarin Sarandë- Korfuz.

Diçka ka shkuar keq për Armand Nelajn, të cilit i ka plasur eksplozivi. 52 vjeçari u gjet me shenja jetë në ujë nga disa turistë të huaj që kalonin pranë portit, ndërsa pak më tutje ai humbi jetën në spital.

Policia deri më tani ka arrestuar Erdion Muhon, 35 vjeçarin që së bashku me viktimën planifikuan vendosjen e sasisë së tritolit që në fund i mori jetën 52 vjeçarit.

Njoftimi policisë

Sarandë

Hetime të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën një 52-vjeçar.

Si rezultat i veprimeve të thelluara profesionale dhe hetimore, është arrestuar një shtetas i cili dyshohet se bashkë me 52-vjeçarin, do t’i vendosnin një anijeje një sasi eksplozivi, që shpërtheu aksidentalisht duke shkaktuar vdekjen e 52-vjeçarit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 24.06.2024, në portin e Sarandës, ku si pasojë e një shpërthimi në det, humbi jetën shtetasi A. N.

Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi E. M., 35 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin A. N. kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.

Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. N.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.