Vdekja e një sipërmarrësi shqiptar të quajtur Artan Kaja në Italinë fqinje, nuk ishte as një aksident e as një sëmundje e papritur, por një vrasje e kryer me gjakftohtësi, nga një tjetër shqiptar.
Kështu shkruan media italiane, e cila raporton se autori i krimit është dorëzuar pranë autoriteteve policore. Ky i fundit është një 50 vjeçar, i cili punonte si shofer kamioni në një fabrikë në Capannori, atje dhe ku ndodhi krimi.
Artani punonte si nënkontraktor në fabrikën e letrës dhe është qëlluar me plumb në kokë prej shoferit të kamionit.
I akuzuari ka treguar para hetuesve se është ngjitur mbi një mur të ulët që rrethonte kompaninë dhe ka pritur aty për ardhjen e Kajës. Autori dyshuar ka thënë se zona që ka zgjedhur është e errët dhe pa asnjë kamera sigurie që do të mund ta pikaste. Me të parë 52 vjeçarin që ka hyrë në fabrikë, autori e ka qëlluar me armë.
Krimi ndodhi mbrëmjen e 7 janarit (e mërkurë) në Capannori dhe fillimisht u dyshua se sipërmarrësi shqiptar mund të kishte pësuar ndonjë problem shëndetësor e të ishte rrëzuar me kokë në asfalt.
Ka qenë bashkëshortja e viktimës ajo që e ka gjetur të shoqin të pajetë, pasi 52 vjeçari nuk po i përgjigjej telefonatave të saj.
Zakonisht 52 vjeçari kthehej në shtëpi pas orarit të punës, ndërsa banesa e tij ishte veçse 200-300 metër larg kompanisë. Bashkëshortja ka shkuar në kompani dhe ka gjetur të pajetë në tokë të shoqin. Çifti ka dy dy fëmijë, dy djem.
Policia ka punuar gjatë gjithë ditës së enjte dhe ka zbuluar se plaga në kokë korrespondonte me një plage të shkaktuar nga një armë zjarri. Autori i krimit është vetëdorëzuar pranë autoriteteve ,mbrëmjen e të enjtes, i shoqëruar nga një avokat mbrojtës. Arma e krimit ende nuk është gjetur.
Media italiane shkruan se pak javë më parë, viktima dhe autori dyshuar kanë patur një konflikt të ashpër për çështje pune.