Zbardhet veriu i Shqipërisë, dëbora bllokon qarkullimin në Rrugën e Kombit

Reshjet e dendura të dëborës janë rikthyer sërish në veri të vendit. Kukësi është zgjuar këtë të hënë i zbardhur nga dëbora, ndërsa qarkullimi i automjeteve është vështirësuar në disa akse rrugore.

Rruga e Kombit në segmentin Thirr-Fan Reps rezulton të jetë dhe më problematikja për shkak të prezencës së akullit e shtresave të dëborës. Disa aksidente kanë ndodhur, të cilat fatmirësisht kanë qenë vetëm me dëme materiale.  Autoritetet kanë këshilluar uljen e shpejtësisë dhe përdorimin e zinxhirëve për të minimizuar rriskun për aksidente të mundshme.

Në qarkun e Shkodrës po ashtu, janë regjistruar reshje të dendura të dëborës. Në rrugën Qafë Mali- Fierzë, reshjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, por pa krijuar probleme serioze në qarkullimin e rrugëve. Në Fushë Arrëz ndërkohë, trashësia e dëborës arrin në 8 centimetra.