Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës, çfarë po ndodh

Këtë të dielë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, disa muaj pas dorëheqjes së të gjithë drejtuesve të Listës Serbe.

Këta të fundit kanë bojkotuar edhe këto zgjedhje të parakohshme, duke u bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë njëlloj, të bojkotojnë votimet.

Aktualisht qytetarët votojnë për pushtetin vendor në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin e Leposaviqin. Deri më tani, numri i votuesve ka qenë mjaft i ulët e sipas mediave në Kosovë, shumica e votuesve kanë qenë shqiptarët.

Shumë qendra votimi janë vendosur në kontenierë, fill pas rrefuzimit të shumë drejtuesve të shkollave për të hapur ambientet e tyre për votim.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 ka qenë si vijon:

Leposaviq: 28 votues, apo 0.21%

Zubin Potok: 65 votues, apo 1%

Zveçan: 29 votues, apo 0.41%

Mitrovicë e Veriut: 191 votues, apo 1.05%

Të drejtë vote, po sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë 45.095 qytetarë.

Në garë për komunat në veri të Kosovës janë 10 kandidatë, e vetëm një prej tyre vjen nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për drejtimin e komunës së Zveçanit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë Kreshnik Radoniqi, iu drejtua me ftesë qytetarëve që të dalin në votime dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre.

 “Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniqi gjatë një vizite në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

Deri më tani nuk është shënuar asnjë incident apo problem me prapavijë politike në vendvotimet e vendosura nga qeveria e Kosovës.

Kujtojmë se komunat në veri të Kosovës mbetën pa kryetarë që nga nëntori i vitit të kaluar, kohë kur përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje masive nga vendet e tyre të punës në administratë. Dorëheqja erdhi si një reagim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe. Pas largimit të Listës, Beogradi rinisi politikën e vendosjes së bllokadave në pikat kufitare, një vendim që e tensionoi skajshmërisht situatën në veri të Kosovës.

Më poshtë një kronikë e shkurtër nga Radio Evropa e Lirë mbi gjendjen aktuale në veri, në ditën e zgjedhjeve të parakohshme