Zgjedhjet në Kosovë: Ky është rezultati pas numërimit të të gjitha votave në vend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar këtë të enjte rezultain paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pas numërimit të 100% të votave në vendvotimet në rang vendi.

Megjithatë, në rezultatin e tanishëm nuk përfshihen votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë votat e diasporës.

Sipas rezultatit të deritanishëm, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kryeson me 40.8% të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK_ me 22.03%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63%, koalicioni mes Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) dhe Nisma Socialdemokrate me 7.46% të votave e së fundmi, Lista Serbe me 4.61% të votave.

Kujtojmë se me ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndarazi në Qendrat Komunale të Numërimit. Procesi ka nisur me vonesë.

LVV ka fituar zgjedhjet dhe është zotuar ta formojë qeverinë e re, ndonëse me rezultatet e saj Vetëvendosje nuk mundet të krijojë shumicën e nevojshme me 61 deputetë. LVV mundet që të bashkojë votat me komunitetet joserbe, të cilat i kanë 10 mandate të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Nga ana tjetër, partitë e opozitës kanë hedhur poshtë mundësinë për të krijuar koalicion me Vetëvendosjen, duke shprehur më shumë gaditshmërinë për formimin e një qeverie të përbashkët mes tyre.

Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon të përballet me turbulenca politike, për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë.