Zgjedhjet parlamentare në Greqi, kush janë 7 kandidatët shqiptarë që garojnë në shtetin fqinj

Më 21 maj Greqia zhvillon zgjedhjet parlamentare. Në mesin e kandidatëve, janë dhe 7 shqiptarë të cilët garojnë nën siglën e disa forcave politike në shtetin fqinj.

Tri kandidatë shqiptarë, përkatësisht Adiljan Koxhaj, Makrina Koçi dhe Angjelos Jahollari garojnë nën siglën e partisë më të madhe opozitare në Greqi, Siriza-s. Kandidatët garojnë në Selanik dhe Evia.

Fatos Malaj është një tjetër shqiptar që kandidon nën logon e “PASOK-ut’ në Athinë, ndërsa Niko Bilika (njëjtë me partinë e majtë) kandidon në Selanik.

Kandidatët e tjerë të mbetur janë Paty Vardhami e cila garon në Athinë me forcën politike “Mera 25”. Së fundmi në listë, është dhe Sidorela Kalthi, e cila garon në Kretë për Partinë Komuniste Greke.

Shumica e kandidatëve në fjalë janë të rinj që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë, të lindur e arsimuar në shtetin fqinj apo në perëndim.

Kujtojmë se Greqia ka miratuar kohë më parë një ligj të ri për nënshtetësinë, ndërsa sipas të dhënave të Ministrisë greke të Emigracionit, nënshtetësinë e kanë përfituar (nga viti 2011) afro 115 mijë shtetas shqiptarë.

Afro 87 mijë shqiptarë me nënshtetësi greke, kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e kësaj të diele në shtetin fqinj.