Mundohet të qëndrojë palëvizur, por nuk mundet. Nuk mundet sepse i biri ka 10 ditë që ndodhet në koma dhe atë s’mund ta zërë vendi. Nuk i ka mundësitë për ta dërguar djalin për kurim jashtë shtetit dhe zemra e tij është mbushur me hidhërim, një helm që po e konsumon nga brenda.
Kjo është ajo që mund ta shohësh lehtësisht në fytyën e Ilirit, teksa i biri Elvi dergjet në shtratin e spitalit. Elvi është veçse 10 vjeç, por një sëmundje e rëndë e ka kapluar trupin e tij. Elvi është mes jetës e vdekjes, ndërsa babai i tij dridhet e derdh lot teksa i flet të birit.
“Jeta e babit… dashuri. Zemra e babit, Elvi foli babit… thirre njëherë babin, ta degjoj zërin se kam 10 ditë që nuk ta dëgjoj zërin o shpirt…”-thotë mes lotëve babai.
E në mesin e dhimbjes, përballjes me të birin në gjendje kome, babai mundohet sërish t’i flasë të birit. Mundohet ta bëjë realitet dëshirën dhe ëndrrën e tij të vetme… që i biri të zgjohet, të jetë mirë sërish.
“Të pret motra, të presin shokët. Zgjohu o jetë, i shpirti babit. Fillon shkolla i shpirti babit, zgjohu. Babi pa ty s’mund të rrojë.”
Gjendja e Elvit është tepër e rëndë. 10 vjeçari ka nevojë urgjente për t’u dërguar për kurim të specializuar jashtë shtetit, përmes një avioni spitalor. Koha nuk pret për vogëlushin.