Zjarr në Metalurgjikun e Elbasanit, tymi ‘mbulon’ qytetin

Një zjarr masiv ka rënë në vendgrumbullimin e skrapit në Uzinën e Çelikut që ndodhet në ish kombinatin metalurgjik të Elbasanit. Shtëllungat e tymit të lëshuara nga flakët kanë mbuluar zonën atje dhe më tej. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikësit të cilët po punojnë për të vënë nën kontroll flakët.

Policia njoftoi se flakët dyshohet të kenë ardhur si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike në një pikë të grumbullimit të skrapit.

“Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit. Ndërkaq, grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit”, thuhet në një njoftim për mediat.