Zjarri i madh në Shkodër, tregtarët mes lotëve: Falë Zotit shpëtuam, por kemi humbur bukën e gojës

Pasditen e djeshme në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, tregu i rrobave të përdorura u përfshi nga flakë masive, duke djegur gjithçka gjeti përpara. Mes lotëve, tregtarët treguan për median se kanë humbur gjithçka, punën me të cilën mbanin me bukë familjet e tyre.

Të pyetur në lidhje me shkakun e zjarrit të madh, tregarët janë shprehur se nuk e dinë si kanë nisur flakët. Shumë prej tyre i kanë bërë apel shtetit për ndihmë pasi shumica prej tyre janë nevojtarë dhe kanë fëmijë për të ushqyer.

“Ne jemi në rregull me çdo gjë, çfarë na kanë kërkuar, i kemi paguar. Kemi miliona, kemi shpirtin, kemi zemrën, çdo gjë e kemi këtu. Po shqyqr i madh Zoti që kemi shpëtuar me kokë. Shteti të mendojë për ne se e kemi bukën e gojës, një ditë pa punë këtu, një ditë pa bukë. Kemi familje, kemi njerëz të sëmurë nëpër shtëpia. Ne jemi të gjithë nevojtarë, jemi shtresë më e lodhur e shoqërisë. I kemi me djersë e me gjakun e shpirtin tonë, ju lutem vini dorën në zemër për këto familje këtu. Jam komplet e shokuar, nuk di çfarë të them. Jemi të gjitha me halle e probleme.”,tha një tregtare.

“22 vjet që punojmë këtu. Kemi rritur fëmijët me këtë punë. Nuk e di se si ndodhi. Nuk ka qenë asnjëherë me ndodhë kjo punë. I gjithë malli ka qenë brenda. Unë për vete i kam aty brenda 10 milionë. Na ka fikur. Ne jetojmë 6 veta vetëm me këtë punë, nuk kemi të ardhura të tjera 22 vjet. Tregu ka pasur roje. Nuk dimë nga ka ardhur zjarri se ne deri në 1 e gjysëm kemi punuar, kemi mbyllur mallin dhe kemi ikur të gjithë nëpër shtëpia. Roja ka qenë aty. Si ndodhi, një Zot e di. Ne duam ndihmë nga shteti dhe për të na bërë një treg tjetër se ne jemi në rrugë të madhe.”tha një tjetër tregtare.

“Kemi pasur bukën e gojës, vij nga Berdica këtu. Komplet malli është djegur sikur e kam marrë. E kemi bërë me 1 mijë halle, duke e blerë vendin me borxhe për të jetuar, tani na doli dhe kjo punë.”-tha një tjetër.

Në lidhje me zjarrin ka folur dhe një prej zjarrfikësve i cili punoi së bashku me dhjetëra të tjerë për të shuar flakët. Ai u shpreh se kurrë më parë nuk janë ndeshur me një zjarr të tillë në Shkodër.

“Pasi ka ardhur njoftimi, kemi vënë në eficencë 7 mjete zjarrfikëse përsa i përket shuarjes së zjarrit në tregun e lagjes Perash. Në këtë operacion janë angazhuar të gjithë mjetet dhe po ashtu na kanë ardhur në ndihmë dhe nga qytete të tjera. Ka qenë një nga rastet më të vështira, zjarri ka qenë i menjëhershëm, kishte një vrull të paparë që nuk na kishte ndodhur ndonjëherë në zonën e Shkodrës”-tha zjarrfikësi..

Zjarri fillimisht ka nisur brenda tregut, duke u përhapur me shpejtësi edhe në banesat që ndodheshin pranë. Prej flakëve u dogjën 5 banesa dhe 80 njësi tregtare.