Zjarri i mori jetën të moshuarit në Lushnje, fqinjët: Nuk kishin asgjë, jetonin të vetëm pa njeri

Një ngjarje tragjike ndodhi në fshatin Bubullimë të Lushnjes, atje ku shtëpia e një çifti të moshuarish u përfshi nga zjarri. Si pasojë e flakëve humbi jetën i moshuari, 82 vjeçar. Fqinjët treguan se çifti jetonte i vetëm, pa fëmijë, në vështirësi të shumta ekonomike.

“Unë pash flakë në orën 2:30-3:00. Jetonin të dy vetëm prej vitesh. Ishte djegur dhoma e tyre. Të shoqen e tij e kishte kapur trau. E kemi tërhequr ne nga trau. Ata nuk kishin asgjë, edhe për të veshur unë u jepja rrobat e mia.”-tha njëri prej fqinjëve.

“Gjynah më erdhi keq. Jetonin vetëm të dy pa njeri.”-shprehet banori tjetër.

Të moshuarit jetonin në një banesë të vjetër e rrënuar. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit. Sipas fqinjëve flakët mund të jenë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike, ndërsa kreu i zjarrfikëses Xhezmi Metushi, u shpreh se zjarri mund të ketë ardhur nga soba e të moshuarve, e cila u gjet e ndezur.