Zjarri në azilin e Fierit, flasin të moshuarit: Ishim me fat që nuk ra natën, prej tymit s’mund të shihje

Fatmirësisht askush nuk mori lëndime serioze. Një ditë pas rënies së një zjarri në azilin e Fierit, 50 të moshuarit që akomodohen atje po qëndrojnë në ambientet e spitalit rajonal të qytetit, derisa godina e azilit të lyhet e sistemohet.

Pasditen e të martës një zjarr i përmasave të mëdha, i cili nisi nga një kabinë elektrike ngjitur me azilin, përfshiu katin e dytë të godinës. 10 të moshuar u dërguan fillimisht në spital me shenja të asfiksisë. Një ditë më vonë, mjekët thonë se asnjë prej të moshuarve nuk ka shfaqur komplikacione në shëndet. Dy prej tyre ndodhen në terapi intensive, për shkak të sëmundjeve të tyre kronike, por jashtë rrezikut.

“Janë me parametra ytë stabilizuar, nuk paraqesin rrezik për jetën. Nuk kanë shenja të asfiksisë, apo shenja të tjera kardiake apo neurologjike. Më tepër kanë shfaqur shenjat e atakut, panikut apo frikës në pjesën më të madhe të tyre”, u shpreh mjeku që kujdeset për të moshuarit në spitalin e Fierit.

Të moshuarit po ashtu kanë folur për median, duke rrëfyer momentet e vështira. Një i moshuar tregoi se kati i dytë u mbulua tërësisht nga tymi dhe ishte fat që zjari nuk ra gjatë natës.

“Patën vështirësi për të dalë njerëzit. Kemi nxjerrë njerëz me batanije. Shyqyr që nuk patëm të vdekur. Ishte gjë e mirë që na ndodhi ditën dhe jo natën. Shpëtuam. Erdhi drejtoria erdhi zjarrfikësja na nxorën jashtë. Nuk dola dot nga dera jashtë. Ishte e mbushur me tym. S’kemi pasur flakë vetëm tym. Kemi vajtur te spitali kam fjetur ne reanimacion.”- tha i moshuari.