“Zot më jep forcë” Momenti kur qytetari e oficeri i shpëtojnë nënën e dy fëmijëve që kishte humbur ndjenjat në timon

 “Iu luta Zotit… o Zot më jep fuqinë, më bëj më të shpejtë, më të fortë, më jep forcën”

Këto janë fjalët që i tha vetes Epifanio Munguia, një qytetar i cili së bashku me një oficer policie mundën t’i shpëtojnë jetën një gruaje që po mbytej.

Momenti i ndërhyrjes dhe shpëtimit të gruas u filmua nga kamerat trupore të policit. Ngjarja ndodhi në Teksas disa ditë më parë. Gruaja udhëtonte në makinë së bashku me dy fëmijët e saj, djalin 12 vjeçar dhe vajzën 16 vjeçare. Gjatë rrugës, gruaja humb ndjenjat në timon, ndërsa makina përfundon në një pellg uji. Pjesa e përparme e makinës zhytet thuajse plotësisht në ujë.

Fëmijët arrijnë të dalin dhe kërkojnë ndihmën e një oficeri policie i cili ndodhej pranë. Oficeri vrapon menjëherë në vendin e ngjarjes, teksa aty shikon se kishte mbërritur dhe një qytetar (Epifanion) i cili po mundohej të thyente xhamin e pasagjerit për të arritur tek gruaja. Së bashku ata ia arrijnë të nxjerrin nënën e dy fëmijëve nga makina e jashtë pellgut të ujit.

Munguia, tregoi për median amerikane se çfarë ndodhi.

“Po kaloja aty me makinën time, kur pashë automjetin në ujë. Me vete mendova se aksidenti do kishte ndodhur orë më parë. Mendova se makina ishte lënë për t’u rimorkiuar… aty më pas, pash një oficer që po vraponte dhe e kuptova menjëherë se çfarë po ndodhte. Nisa të lutem, o Zot më jep forcë, më bëj më të shpejtë, më të fuqishëm. Ndalova makinën dhe u hodha në ujë, menjëherë fillova të tentoj të thyej xhamin”

Nëna e dy fëmijëve doli nga uji pa puls dhe në grahmat e fundit. Oficeri nisi menjëherë masazh kardiopulmonar, derisa urgjenca erdhi. Gruaja qëndroi për ditë me radhë në një ventilator, ndërsa tanimë ajo mund të marrë frymë vetë dhe dita ditës, po rikuperohet plotësisht. Motra e saj u shpreh falenderuese për reagimin e shpejtë të qytetarit zemëmirë dhe oficerit të policisë, të cilët i shpëtuan jetën nënës së dy fëmijëve.