“Zoti më mëshiroi, e vërteta doli” Greqi: Shqiptari i dënuar përjetë merr pafajësinë

“Të gjithë thonin se unë e vrava, por Zoti më mëshiroi dhe e vërteta doli në shesh”

Këto janë fjalët e një 54 vjeçari shqiptar i cili u dënua padrejtësisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje (e dashura e tij) 43 vjeçare në vitin 2014, në Kos të Greqisë.

“Ka një Zot. Zoti më kurseu, e vërteta doli. Me të vërtetë që tani, mund të them se ndihem i përligjur pas gjithë asaj vuajtje. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë mendonin se unë e kisha vrarë dhe në burg më futën padrejtësisht. Tre vite qëndrova pas hekurave. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më të rëndë sesa të të thonë vrasës, kur ti nuk ke bërë asnjë krim. Dinjiteti e nderi mu shkatërruan, e unë s’mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi vuajtën teksa dëgjonin se i ati ishte një vrasës… unë atë grua e njihja, jetoja me të dhe në asnjë mënrë s’do t’i bëja keq. Tani dua të eci përpara, të lë pas këtë makth që më ka shenjuar përgjithnjë”-tha shqiptari në një intervistë për Protothema.

NGJARJA

Në vitin 2014, 43 vjeçarja me origjinë rumune u gjet e pajetë në tualetin e apartamentit, në një bllok me apartamente në zonën e Platani. Personi që kishte njoftuar policinë ishte pikërisht shtetasi shqiptar (Jani Zoto), i cili kishte pritur patrullën. I tmerruar nga skena e krimit, shqiptari kishte nisur të dridhej e bërtiste “e kanë masakruar…”

Gruaja ishte gjysëm e zhveshur dhe kishte shenja të goditjes me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Oficerët në atë kohë konkluduan se në apartament nuk kishte shenja të hyrjes me dhunë, ndërkohë që shtetasi shqiptar u kishte shpjeguar se kishte hyrë në apartament duke përdorur çelësin e tij.

arma e krimit, e gjetur ne kuzhinen e apartamentit

Si u zbulua autori i vërtetë i krimit

Autori i vërtetë i krimit rezultoi se kishte qenë një shtetas pakistanez, i cili jetonte me disa bashkëpatriotë në të njëjtin bllok me apartamente. Prova vendimtare ishte ajo e shenjave të gishtërinjve të gjetura në skenën e krimit, të cilat ishin të njëjtat me një tjetër krim, i cili ndodhi në një tjetër shtet në korrik. Autori i krimit të rëndë në vitin 2014, shtetasi pakistanez, kishte grabitur një dyqan në Gjermani dhe përmes shenjave të gishtërinjve, rezultoi se ai ishte dhe autori i vrasjes makabre të rumunes, vite më parë. Shtetasi pakistanez më vonë pranoi krimin e rëndë.