Zveçla zbërthen planin e terroristëve serbë: Donin të shpallin në Ibër ‘autonominë’, kishin armatime sa për 200 persona

Ministri i Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla, ka zbërthyer planin e hartuar nga grupi terrorist serb, që sipas të dhënave kishte për qëllim të niste një konflikt të përmasave të mëdha me objektivin kryesor, shpalljen e veriut të Kosovës, si zonë autonome.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai tregoi se plani i terroristëve është udhëhequr ng vetë nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç dhe është dirigjuar drejtpërdrejt nga Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç. Ministri Brendshëm shtoi se armatimet e gjetura e sekuestruara nga forcat e rendit në Kosovë, ishin të mjaftueshme sa për një ushtri prej 200 vetësh.

Terroristët sipas Zveçlës, kishin për qëllim të zbrisnin më në jug të vendit (në vijën e lumit Ibër) dhe të pamundësonin futjen e policisë së Kosovës, për të shpallur më tutje veriun e vendit si një zonë ‘autonome’, njëlloj siç kanë bërë rusët me rajonin e Donbasit.

 “Flitet për 200 persona potencialisht të rekrutuar të cilët do të ishin pjesë e këtij skenari. Plani ka qenë që ata të zbresin më në jug deri në vijën e lumit Ibër dhe përmes sulmeve të pamundësonin policinë e Kosovës të vepronin lirshëm dhe më pas të deklaronin ndonjë autonomi apo diçka tjetër”, tha Sveçla.

 Kjo është një logjistikë që e ka një ushtri e mirëfilltë. Numrat e armatimeve po shtohen. Kemi zbuluar dhe një autoblind tjetër. Ka kamionë dhe buldozerë të cilët kanë mbartur municione. Ka raketa hedhës më shumë, mina anti-tank më shumë, mina anti-personel më shumë. Kjo listë e gjatë po përditësohet. Ky mitroloz me nitroglicerinë as policia nuk e ka në zotërim, kjo është ushtarake dhe vjen drjtpërdrejtë nga depot e Serbisë”, shtoi më tutje Ministri i Brendshëm.

“Ai terren është i vështirë dhe në vazhdimësi kemi zbuluar rrugë të reja. Më herë kemi zbuluar 16 rrugë të reja. Ne i kemi bllokuar. Vija e gjatë kufitare dhe këto rrugë ilegale kanë mundësuar që ata të futen me këto makina.

Duke qenë se jemi dëshmitarë se ka prezencë të KFOR-it, shumë lehtë këta mund të kryenin aksione në veri duke u kamufluar si personel i KFOR. Makina e Radoiçiç ka qenë e blinduar. Kanë vendosur logot e KFOR për të qarkulluar lirshëm. Ju mund të shihni dronë dhe mjete për mjekim, këta janë përgatitur për konflikt të përmasave të mëdha. Municionet janë me qindar mijëra dhe nuk kemi mundur ende t’i numërojmë”, tha Sveçla.