“Djali më thërret O babi ku je, nuk më shikon” Babai i dëshpëruar lutet për ndihmë, dy fëmijët po i verbohen

Simoni punon thuajse gjithë ditën si hidraulik për të mbajtur në këmbë familjen. Lodhet e stërmundohet për fëmijët, për të shoqen, për mirëqenien e tyre. Por ndryshe nga shumë kryefamiljarë, kur Simoni hap derën e shtëpisë dhe pret me mall të puthë e përqafojë fëmijët, përballet me një skenë të hidhur, të dhimbshme, që të thyen zemrën.

Djali e vajza i Simonit, 5 e 3 vjeç, kanë probleme serioze me sytë e tyre. Seiti e Eldisa po humbin shikimin dhe rrezikojnë të mbeten plotësisht të verbër. Nuk ka dhimbje më të madhe për Simonin kur dëgjon zërin e të birit 5 vjeçar që e thërret “o babi ku je, o ba ku je” edhe pse Simoni qëndron fare pak larg djalit.

“Nuk ka më keq se kaq… (qan) nuk ka më keq se kaq. Babai im e humbi njërin sy. Nuk e imagjinoja kurrë në jetë se do t’u ndodhte fëmijëve të mi. Si mundet të jetë një jetë pa dritë? E vështirë… e vështirë (qan) më keq nuk ka më. Nuk mundem dot t’i shikoj fëmijët kështu. Kur vij nga puna, djali më thërret (qan), ku je o ba… ku je o babi.”-thotë mes lotëve babai.

Simoni thotë se nuk i ka mundësitë për të kuruar fëmijët. Thotë se mundohet e sakrifikon gjithçka, por sërish ky baba nuk ka mundësi t’i bëjë derman dy fëmijëve. Lotët e zënë kur çon ndërmend më të keqen, se mos fëmijët e tij mbeten të verbër e një ditë të vetëm, një ditë pa dorën e babait a nënës për t’i drejtuar…

“I pafuqishëm jam. Edhe jetën do të jepja për ta, vetëm që ata të shikonin, të shihnin nënën e tyre, të mos kishin nevojë për shoqërimin tonë se unë një ditë do të iki nga kjo botë, do të vdes… (qan).

Unë punoj hidraulik. Mundohem të mbaj familjen.  Por jam e ndihem i pafuqishëm, sepse nuk mund t’u bëj dot derman fëmijëve të mi. Ne jemi me mundësi të dobëta ekonomike, pavarësisht se çdo ditë mundohemi, përpiqemi çdo moment. Do t’u lutesha shqiptarëve, të gjithë juve, sadopak të keni mundësinë… ta shohin dhe fëmijët e mi dritën e diellit.”-thotë Simoni.