E bija shpëtoi falë një dhuruesi… babai dhuron njërën veshkë me shpresën se do t’i shpëtojë jetën një të panjohuri

Foto e mësipërme i përket një babai me të bijën 19 vjeçe, e cila vuante nga probleme të funksionimit të veshkave. Prej disa muajsh, Arfon Jones lutej që të vinte dita që të gjendej një dhurues për transplantin e veshkave të së bijës, e quajtur Seren.
19 vjeçarja kishte disa muaj që qëndronte në dializë për 10 orë…çdo ditë. Babai nuk mundej t’i jepte veshkën e tij të bijës, pasi nuk ishte kompatibël me të. E teksa shpresat shuheshin, një ditë mjekët i dhanë mesazhin e shumëpritur këtij babai dhe të bijës së tij.
“Na njoftuan përmes telefonit. Ishte një moment magjik. Ndërhyrja u krye brenda ditës dhe jeta e vajzës sime ndryshoi përgjithnjë”-tregoi Arfon Jones për BBC-në.
E pasi e bija i shpëtoi dializës 10 orëshe, ky baba vendosi të bëjë të njëjtin gjest të mirë, me shpresën se një ditë do të jetë akti i tij që do të shpëtojë një jetë. Arfon hyri në operim dhe dhuroi njërën veshkë të tij.