E padëgjuar më parë, sorrat sulmojnë qytetarët në Prishtinë, 26 prej tyre u bënë për vizitë në spital

Jemi mësuar të dëgjojmë për sulme nga qentë endacakë nëpër rrugët e qyteteve tona, në Shqipëri apo Kosovë… por duket se në Prishtinë, e veçanërisht në muajin maj, qytetarët po përballen dhe me sulmet nga sorrat.

Media e Kosovës raporton se vetëm përgjatë muajit maj, 26 qytetarë i janë drejtuar qendrave mjekësore familjare në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga sulmet e këtyre shpendëve.

Nga fundi i muaji prill deri në mesin e qershorit, sorrat bëhen më agresive pasi mbrojnë foletë dhe zogjtë e tyre. Një fenomen i tillë është raportuar gjerësisht në vende të ndryshme të globit e veçanërisht në zona të hapura, në parqe me pemë, ku sorrat zgjedhin të formojnë foletë e tyre.

Media e Kosovës mësoi se një qytetare në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë është dashur të qepë kokën pikërisht për shkak të sulmit të një sorre, e cila e ka goditur disa herë në kokë.

Njëjtë dhe me sulmet e tjera, teksa shumica e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kanë patur lëndime në pjesën e kokës. Një tjetër qytetare është dashur të marrë ilaçe për të shmangur ndonjë infeksion të mundshëm pas sulmit të sorrës.