Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen të premtes në Ferizaj të Kosovës, ku një dasëm është kthyer në tragjedi, në momentin kur një oficer policie ka vrarë me armën e shërbimit një familjar të tij.
Autori i quajtur Festim Ramadani, qëlloi për vdekje me armë Sadri Sadriun, një të moshuar 89 vjeçar, që sipas medias së Kosovës, ishte burri i tezes së autorit.

Arsyeja e krimit të rëndë mbetet ende e pazbardhur, ndërsa autoritetet kanë prangosur dhe lënë në burg oficerin e policisë.
Nga ana tjetër, 89 vjeçari kishte ardhur në dasmën në fshatin Bibaj të Ferizajt, pasi martohej nipi i tij. Po sipas raportimeve të medias në Kosovë, viktima ishte i afërm i bashkëshortit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, më konkretisht xhaxhai i Prindon Sadriut.
Përveç oficerit, policia arrestoi një person të dytë të cilin e akuzon për bashkëpunim me autorin e krimit.
Nga policia thanë se oficeri Ramadani nuk ishte pjesë e dasmës dhe se kishte mbërritur në lokalin ku zhvillohej festa me rroba civile e i armatosur me armën e shërbimit.


“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, thanë nga policia.
Prokuroria tha se krimi ndodhi në parkingun e sallës së dasmës.
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë”, u tha në njoftim.