Një punonjës i Google Earth pretendon se ka zbuluar një figurë që i përngjan fytyrës së një alieni, në mesin e kontinentit më të shkretuar të planetit, Antarktidës.
Imazhi satelitor i shpërndarë në rrjetet sociale, ka ngjallur debate të shumta, pasi fotoja duket sikur tregon një fytyrë me sy gjysëm të mbyllur, hundë e gojë të skalitur në relievin malor të mbuluar nga dëbora.
Figura misterioze mund të gjendet në Google Maps kur kërkoni koordinatat 72°00’36.0″S 168°34’40.0″E.
Pavarësisht spekulimeve, vështirë të besosh se fytyra e një qenie gjendet në formacionet e dëborës së përhershme në Antarktidë. Edhe pse imazhi “portretizon” diçka që i përngjan tipareve të një fytyre, rasti është një shembull perfekt i një fenomeni që quhet pareidolia. Me fjalë të tjera, aftësia e trurit njerëzor për të perceptuar vizualisht forma të njohura, si rasti në fjalë ku një fytyrë gjendet tek relievi i disa maleve mbuluar nga dëbora.