Në fshatin Brezna, i cili ndodhet mes Nikshiqit e Pluzhinës në Malin e Zi, po mbahet një garë e pazakontë e cila në fokus ka pikërisht të mos bërit e asnjë aktiviteti.
Gara për “qytetarin/en më dembel” nisi të premten dhe do të fitohet nga personi që arrin të qëndrojë shtrirë më gjatë se të tjerët.
Ky është ‘edicioni’ i 12 i kësaj gare të pazakontë dhe ka një numër prej 21 pjesëmarrësish. Në mesin e tyre është dhe fituesja e vitit 2021 Dubravka Aleksiç nga Podgorica, e cila mban aktualisht rekordin duke qëndruar shtrirë për 117 orë (thuajse 5 ditë).
Fituesi merr një çmim prej 1 mijë eurosh ndërsa rregullat janë të tilla që pjesëmarrësve u ndalohet të ngrihen në këmbë. Ata mund të lexojnë libra, të pinë ujë e konsumojnë ushqime si dhe çdo 8 orë, u lejohet të shkojnë në tualet.
Konkursi nisi si një ide interesante që bazën e ka tek stereotipet se populli malazez konsiderohet ‘dembel’.
Organizatori i garës dhe pronari i etno-fshatit Brezna, Miço Blagojeviq, në një prononcim për Anadolu Agency, tregoi se idenë e organizimit të një gare të tillë e ka pasur 12 vjet më parë, pikërisht për shkak të mitit për ‘dembelizmin’ e malazezëve.
“Në këtë mënyrë, e gjithë bota ka dëgjuar për ne. Sot kemi një numër rekord të konkurrentëve”, tha Blagojeviq.