I “falën” disa momente me të birin e ndjerë, 80 vjeçari gjen guximin të hidhet me parashutë për bamirësi

I moshuari në foton e mësipërme është 80 vjeçar. I quajtur John Cassidy, britaniku shkoi nga qyteti i tij  (Coventry) në aeroportin e Nottinghamit për t’u ngjitur në një avion e për t’u hedhur me parashutë nga mijëra e mijëra metra lartësi…

Shumëkush mund të pyesë nga i buron ‘guximi i shtuar’ të moshuarit. Në vitin 2018 djali i tij ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti në rrugë. I biri udhëtonte në një makinë, kur një kamion me probleme me frenat i goditi automjetin.

Në vendin e ngjarjes mbërritën mjekët e urgjencës të cilët e transportuan 37 vjeçarin në spital përmes helikopterit. Shpejtësia e reagimit të urgjencës e mjekëve, i dha mundësinë familjarëve që të shikonin 37 vjeçarin, i cili më tutje ndërroi jetë.

I moshuari nuk e harroi atë pak kohë që ia ‘falën’ punonjësit e shërbimit ajror me të birin. E kësisoj, Xhon u hodh me parashutë për të ngritur një shumë prej 5 mijë paundësh pikërisht për këtë shërbim mjekësor, objektiv që 80 vjeçari e kreu me sukses.