India jep 1,000,000 dollarë për këdo që mundet deshifrojë shkrimin e civilizimit 5 mijë vjeçar

Çdo javë, Raxhesh Rao, një studiues i shkencës kompjuterike, merr emaile nga njerëz që pretendojnë se kanë arritur të deshifrojnë shkrimin misterioz të një civilizimi të lashtë që ende sot e kësaj dite, mbetet një mister i madh.

Fjala është për qytetërimin e Luginës së Indusit, një qytetërim që daton të jetë krijuar 5300 vite më parë, në një zonë që shtrihet mes veriperëndimit të Indisë dhe verilindje të Pakistanit.

Studiuesi Raxhes Rao thotë se janë dhjetëra e qindra njerëzit që pretendojnë se kanë arritur të deshifrojnë shkrimin e këtij civilizimi të veshur në mister prej gjeneratash. Njerëzit që thonë se kanë thyer skriptet, variojnë nga inxhinierë, në punonjës të IT-së e deri tek oficerë taksash. E së fundmi, sikur për t’i hedhur benzinë zjarrit të garës për zbërthimin e misterit, Ministri përgjegjës për shtetin Tamil Nadu në jug të Indisë, ka deklaruar se qeveria është e gatshme të japë plot 1 milionë dollarë për këdo që arrin të thyejë kuptimin pas simboleve misterioze të civilizimit 5,300 vjeçar.

Civilizimi i Luginës së Indusit u zbulua afro 1 shekull më parë, e që prej asaj kohe janë gjetur afro 2 mijë site arkeologjike që i përkasin të njëjtit civilizim. Mbetet mister 1 shekullor mënyra apo shkaqet që çuan drejt zhdukjes një civilizim të tillë kaq të sofistikuar. Pas kanë mbetur ngrehinat e mrekullueshme si dhe një gjuhë misterioze, shkrimi i të cilës ende nuk është deshifruar.

Për mëse 1 shekull tashmë, linguistë, ekspertë, shkencëtarë e arkelologë të brezave të ndryshëm, kanë tentuar të zbërthejnë shkrimin e këtij civilizimi. Janë afro 4 mijë skripte, shumica të gjetura në objekte të vogla si vula, tableta apo artikuj qeramikeje.