Itali: 89 vjeçarja humbet për 5 ditë në Alpe, mbijeton me ujë shiu dhe “miqësohet”… me një dhelpër

Një e moshuar në moshën 89 vjeçare është gjetur në Alpe pas 4 ditëve e netëve kërkim. Xhuzepina Bardeli (Giuseppina Bardelli) kishte dale të kërkonte kërpudha kur në një moment pati marramendje dhe u rrëzua në një gropë në Monterecchio të Italisë.

Ishte djali i saj Serxho i cili ngriti alarmin tek autoritetet. Këta të fundit nisën kërkimet me helikopterë e dronë dhe arritën ta gjejnë të moshuarën pas mëse 4 ditësh kërkime.

Media italiane shkruan se e moshuara kishte arritur të mbijetonte vetëm duke pirë ujë nga pellgjet e shiut, ndërsa qëndronte poshtë pemëve gjatë reshjeve apo natës.

Djali tjetër i të moshuarës i quajtur Roberto, tha për gazetën Corriere se “Ajo piu ujë shiu në pellgje, flinte nën pemë, duke përdorur bimësinë për mbulim.

“Një dhelpër iu afrua disa herë dhe u miqësuan. Çdo mbrëmje ajo lutej (recitonte rruzaren). Ajo e dinte se çdo ditë mund të ishte e fundit.”-tha më tutje djali i 89 vjeçares.

Një ekip shpëtimi në terren arriti ta pikasë të moshuarën, e cila u gjend me vështirësi për shkak të terrenit të mbuluar me bimësi të gjatë. Gruaja u dërgua në spital. Ajo ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po rikuperohet.

Familja e 89 vjeçares shtoi se me siguri përvoja e saj e kaluar si anëtare e Klubit Alpin Italian, e ka ndihuar gjyshen që të mbijetojë 4 ditë duke pirë veçse ujë.

Silvio Rizzelli, një zjarrfikës që koordinoi kërkimin, tha: Ajo ishte e fshehur në një gropë të thellë, plot me bimësi të lartë. Ajo nuk mund të na shihte dhe ne nuk mund ta shihnim atë. Përparimi erdhi të dielën në mëngjes, pasi ekipet e shpëtimit po mendonin të hiqnin dorë nga kërkimi. Pasi e gjetën, njerëzit e mi raportuan se zonja Bardelli ishte e lodhur, por krejtësisht e kthjellët. Ishte një lajm i mrekullueshëm dhe befasues që një person në moshën e saj mund t’i rezistonte.

Ekipet e shpëtimit u përpoqën t’i vendosnin një mbajtëse në qafë gjyshes, nga frika se ajo ishte plagosur rëndë.

Por në vend të kësaj Giuseppina tha: Tani po përpiqesh të më vrasësh.

Pasi mësoi se ajo ishte gjetur, familja shpërtheu në lot, me Roberton (djali saj) që e përshkroi gëzimin si ‘të pamasë’.

Ai tha: Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Kur pashë Karabinierët të vinin drejt meje, e kuptova se diçka kishte ndodhur. Kur thanë që ajo ishte gjallë, gëzimi ishte i pamasë. Një falënderim i madh shkon për shumë njerëz që na ndihmuan. Ajo është në rregull tani.