“Ky është urdhër, keni 30 min kohë” 25 vite më parë, momenti kur gjenerali gjerman detyron serbët të largohen

25 vite më parë, teksa territori i Kosovës çlirohej nga forcat genocidale serbe, në histori do të mbetet një moment i filmuar në kamera. Gjenerali i ndjerë gjerman Helmut Harff mbërrin në pikën kufitare të Morinës me trupat gjermane të NATO-s. Aty ai përballet me trupat serbe të cilat refuzonin të largoheshin.

Harff bisedon me drejtuesit e ushtarëve serbë aty dhe ua bën të qartë se duhet të largohen brenda 30 minutave.

Biseda

“Sa minuta ju duhen që të largoheni?”, -pyet gjenerali gjerman komandantin serb.

“Gjashtë orë”, replikoi komandanti serb.

“Kjo nuk është e mundur. Ju jap 30 minuta kohë për tu larguar ” , -tha gjenerali gjerman.

“Por na duhet një dokument për municionin që po lëmë pas” , – replikon përsëri serbi.

“Ky është një urdhër” , -tha gjenerali. “Koha po ecën. Ju kanë mbetur edhe 28 minuta. Fundi i diskutimit”.

Pas bisedës serbët largohen.

Pak vite pas kësaj ngjarje, gjenerali do të tregonte për gazetën gjermane “Stern”

“Ishim marrë vesh që serbët të largoheshin, për t’ua mundësuar trupave gjermane hyrjen në Kosovë. Kur zbrita aty me helikopter, komandantëve serbë as që u shkonte mendja të largoheshin. Nëse në të tilla situata ia filloni të negocioni, atëherë keni humbur”.-tregonte për median gjermane gjenerali Harff.

Në pyetjen e ‘Stern’ se si do të sillej po të mos merrej seriozisht kërkesa e tij nga serbët, ai u përgjigj:

“Nëse keni qenë 40 vjet ushtar, ju keni një refleks të mirë, edhe për palën tjetër. E dija se ata (serbët) vetëm po përpiqen të krekosen, por në fakt u kishte hyrë frika në bark. Nga momenti kur ka filluar hyrja e KFOR-it, ushtarët serbë kishin vetëm një hall: si të kthehemi të padëmtuar në shtëpi”