Lajm i gëzueshëm, Dioni niset për kurim falë bamirësve, nëna: Zoti ua shpërbleftë shqiptarëve

Prej një jave, ky vogëlush qëndronte i shtruar në spital, me një diagnozë tepër të rëndë. Prej një jave Dionit nuk i pushonin lotët, e bashkë me të dhë nënës e babait, të cilët përballen me një sprovë të madhe.

Dioni është veçse 14 muajsh, prekur nga një tumor në veshkë. Shanset në atdhe ishin të pakta, ndaj familja iu drejtua për ndihmë shqiptarëve zemërmirë, përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Falë Zotit, në një kohë rekord, u bë e mundur mbledhja e fondeve të nevojshme për kurimin e Dionit në Italinë fqinje, në një spital (Bambino Gesu) që ofron kushtet maksimale për fëmijët.

Pak para nisjes drejt Italisë, nëna e Dionit iu drejtua me këtë mesazh të gjithë atyre që iu bashkuan karvanit të mirësisë, bamisisë për t’i dhënë shansin e jetës vogëlushit të saj.

“Sot nisem për në Romë, nuk e mendova se do të bëhej kaq shpejt, në kohë rekord… akoma nuk më besohet, më duket se jam në ëndërr. Ju faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, Elvisit, Allahu ua shpërbleftë të gjithëve. Kam shumë shpresa se do të rikthehem me djalin e shëruar.”-tha nëna e Dionit.

Nuk na mbetet veçse të lutemi, për shërimin e plotë e të shpejtë të vogëlushit.