Lindjet në pikiatë, qeveria japoneze krijon aplikacion: Inteligjenca artificiale ju gjen burrin/ gruan e ardhshëm

Për vite e vite me radhë, Japonia është përballur me rënien e frikshme të lindshmërisë në vend. Tanimë, një tjetër rekord historik. Shkalla e fertilitetit ra nga 1.26 në 1.20, raporton CNN. Por që një popullsi të mbetet e qëndrueshme, ajo ka nevojë për një normë lindshmërie prej 2.1.

Ndërkohë numri i vdekjeve atje është përshpjetuar ndjeshëm dhe i kapërcen çdo vit lindjet. 1.57 milionë njerëz ndërruan jetë në vitin 2023 në Japoni, më shumë se dyfishi i numrit të lindjeve.

Të përballur me këto shifra shqetësuese, të cilat kanë dhe do të kenë pasoja të pakalkulueshme për strukturën shoqërore të vendit, Japonia po orvatet të bëjë çfarë është e mundur për të ndryshuar skenënë e zymtë.  Në Tokio, zyrtarët lokalë po provojnë një rrugë të re: lëshimin e një aplikacioni takimesh.

“Ju lutemi përdorni atë si “hapin e parë” për të filluar gjuetinë e martesës,” thotë faqja e internetit e aplikacionit, duke shtuar se sistemi që përdor inteligjencë artificiale, ofrohet nga Qeveria Metropolitane e Tokios.

Përdoruesve u kërkohet të bëjnë një “test të vlerave”, por ekziston gjithashtu një opsion për të vendosur tiparet e dëshiruara të një partneri të ardhshëm.