Njerëzit “blu” të Saharasë… ‘teknologjia’ pas një veshje 1400 vjeçare të shkretëtirës

Krijimet e para të “daraa-s” i gjen afro 1400-1300 vite më parë, në shekullin e VII apo të VIII në zonat sub-sahariane e në Afrikën veriore. Shumë thonë se daraa ose boubou, siç quhet ndryshe, simbolizon veshjen e njerëzve të thjeshtë, modestë.

Por ka dhe nga ata që besojnë se bluja e daraa-s është një veshje e krijuar apostafat për t’i bërë ballë ‘me elegancë’ vapës dhe temperaturave të larta.

“Stili dhe forma e daraa-s lejojnë qarkullimin e ajrit, por njëkohësisht ndihmojnë njerëzit e Saharasë që të ruajnë ujin e trupit”-tregon një Dahid Jdeidou, një guidë që shoqëron turistët në Mauritani.

E pavarësisht se tashmë në shekullin e XXI, “moda perëndimore” ka depërtuar edhe në shkretëtirë, ka ende komunitete që e ruajnë këtë veshje krejt të veçantë, veçanërisht në Mauritani.

Tunika blu mendohet se fillimisht erdhi nga një fis i njohur si Haalpulaar, e cila e masivizoi ‘daraa-n’ në mesin e komuniteteve sahariane. Shekuj më parë tregtarët e pasur vishnin daraa të bardha, pasi ata kishin mundësi t’i pastronin e lanin rrobat përditë (prej rërës e pluhurit, rrobat në këtë zonë të vendit bëhen shpejt pis). Skllevërit vishnin daraa të zeza, ndërsa me ardhjen e Haalpulaar, u prezantua dhe bluja indigo që sot e kësaj dite është bërë pjesë tradicionale e kësaj veshje të lashtë. Por teksa Haalpulaar sollën blunë, ishte fisi ‘Tuareg’ ai qe e adoptoi masivisht dhe e popullarizoi daraa-n blu. Pikërisht këta të fundit morën emrin e ‘njerëzve blu’ të Saharasë, kjo edhe për faktin se shpesh trupi i tyre mbulohej në ngjyrën e rrobës, gjatë udhëtimeve në temperatura ekstreme.

Burimi: BBC travel