Pamje të rralla, brenda shpellës mijëravjeçare të Gadimes në Kosovë

E zbuluar në fund të viteve ’60 nga një banor i fshatit në Gadime, shpella në fotot e mëposhtme është një monument i natyrës me rëndësi të veçantë, në Kosovë. Shpella e Gadimes dhuron me të vërtetë pamje spektakolare dhe ka një sipërfaqe prej afro 39 hektarësh.

Më poshtë disa foto të publikuara nga Radio Evropa e Lirë dhe shkrepur nga Ekrem Fazliu

Shpella e Gadimes me kanalet e saj është e lokalizuar në “Sukën e Mërturit”, ndërsa hyrja ndodhet në pjesën e poshtme të grykës së lumit Klysura në lartësi mbidetare prej 580 metrash.
Shpella e Gadimes paraqet fenomen karstik unik jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Është e zhvilluar nga gurët gëlqerorë me moshë paleozoike të mermerizuar me dimensione të vogla hapësinore e të ndërfutur në shkëmbinjtë e fletëzuar (rreshpet).
Kjo pamje më afër tregon Hartën e Kosovës – formë kjo e krijuar natyrshëm nga gurët dhe kristalet brenda shpellës.
Një tjetër formë interesante e formuar nga gurët gëlqerorë është edhe “Mjekra e Skënderbeut”
Stalaktidet dhe stalagmitet përbëjnë një pikë tjetër interesimi për vizitorët e Shpellës së Gadimes. 
Bazuar në rritjen e kristalit në një cm për 30.000 vjet, mund të themi se kjo shpellë është e vjetër 80.000 vjet.
Në aspekt hidrologjik, Shpella e Gadimes është e pasur edhe me ujëra nëntokësore. Brenda shpellës është një liqe, i njohur si Liqeni i Fortunës, ku vizitorët hedhin para për realizimin e dëshirave. Ky liqe është i thellë rreth 15 metra dhe rreth dy metra i gjerë. 
Shpella është e gjatë më shumë se 1.200 metra, mirëpo për vizitorët janë të mundshme vetëm 800 metra, meqë pjesa tjetër është ende e pakalueshme.