Avioni me pasagjerë përplaset me helikopterin ushtarak… patinatori i shpëtoi tragjedisë se nuk i lejuan qenin në kabinë
Një avion me 64 pasagjerë i “American Airlines” u përplas me një helikopter ushtarak “Black Hawk” në afërsi të aeroportit të Uashingtonit duke përfunduar në lumin Potomac. Deri më tani janë nxjerrë prej rrënojave 30 viktima, ndërsa numri i të vdekurve pritet të rritet.
Tragjedia ndodhi mbrëmjen e 29 janarit (me orën lokale atje), ndërsa në imazhet e publikuara në media, është regjistruar momenti i impaktit.
Shkaku i aksidentit të rëndë është duke u hetuar. Autoritetet amerikane kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi terrorist dhe po hetojnë mes pistave për një gabim njerëzor në koordinimin e mjeteve fluturuese ose tek një defekt teknik i mundshëm.
Avioni komercial sapo kishte nisur procedurat e uljes në aeroportin ‘Ronald Reagan’ në Arlington të Virxhinia-s, teksa helikopteri ushtarak po ngrihej me shpejtësi horizontalisht.
Media vendase ka bërë publike dhe komunikimet audio me kullën e kontrollit të aeroportit, ku dëgjohet teksa ekuipazhi i helikopterit ngre alarmin për avionin në ulje.
Mes viktimave, ishte dhe një çift i njohur kërcimtarësh të patinazhit në akull, dy shtetasit rus Evgenia Syskova dhe Vadim Naumov. Lajmin për vdekjen e tyre e konfirmoi dhe Kremlini.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump reagoi mbi ngjarjen përmes një postimi në “Truthsocial”, nga ku tha se “tragjedia duhej të ishte parandaluar”, pasi sipas tij kulla e kontrollit nuk ka koordinuar uljen e ngritjen e mjeteve fluturuese.
Nga ana tjetër, media vendase ka raportuar për rastin fatlum të një qytetari, i cili ka refuzuar të ngjitet në avionin që u përplas pasi autoritetet portuale nuk e lejuan të udhëtonte me qenin e tij.
Fjala është për një patinator amerikan të quajtur Jon Maravilla, i cili shpëtoi me jetë vetëm prej një rregulloreje të aeroportit… se qeni i tij konsiderohej shumë i madh për t’u transportuar në kabinën e pasagjerëve. Fakti se Maravilla s’mund të merrte qenin me vete, e ka shtyrë këtë të fundit të mos ngjitet në avionin e pasagjerëve, avion i cili u përplas me helikopterin ushtarak. Maravilla kishte marrë pjesë në kampionatin amerikan të patinazhit artistik (në akull). Në fluturim ishin të paktën 14 patinatorë, trajnerët dhe anëtarë të familjeve të këtyre të fundit.
Vetë patinatori amerikan, u shpreh pas tragjedisë:
“Nuk mund të ndalem së menduari se sa shumë ndryshoi gjithçka, një jo e thjeshtë në check-in. Qeni im më shpëtoi jetën. Nuk e di pse më ndodhi. Por e di që nuk do të marr më asgjë si të mirëqenë. Dhe se do ta mbaj qenin tim pranë meje, gjithmonë”