Për herë të parë! Shkencëtarët arrijnë të devijojnë rrufetë

Për herë të parë shkencëtarët kanë arritur të devijojnë një rrufe duke e “drejtuar” vetëtimën përmes një lazeri të fuqishëm. Eksperimenti është kryer në një mal në alpet zvicerane, duke drejtuar lazerin mbi një stuhi ku priteshin shkarkesa elektrike.

“Shufrat e metalit përdoren kudo për t’u ruajtur nga vetëtimat, por ato mund të ruajnë një zonë të limituar në pak metra… shpresa jonë është që të kemi mbrojtje për disa qindra metra përmes lazerave”-shpjegoi Aurelien Houard, një fizikant i Ecole Polytechnique (Francë).

Vetëtimat janë shkarkesa elektrike që në përgjithësi kanë një gjatësi prej 3-5 kilometrash, por kanë një nxehtësi që arrin deri në 30,000 gradë celcius (5 herë më shumë se nxehtësia e sipërfaqes së diellit).

Çdo vit në botë, mijëra persona ndërrojnë jetë e dhjetëra mijëra të tjerë mbeten të lënduar nga goditja e rrufeve. Dëmet materiale arrijnë në miliarda dollarë çdo vit, si pasojë e rënies së vetëtimave në godina e objekte.

Për këto arsye, shkenca është munduar që të gjejë një zgjidhje më efikase, sesa thjesht vendosja e shufrave metalike (shpikje e viteve 1700). Qëllimi i këtyre eksperimentimeve është që në ardhmen e afërt, përmes lazerave të mund të ruhen nga dëmet e rrufeve zona si ndërtesat e larta, aeroportet, rrjetet elekrike, etj.