Duket si një skenar filmash me heronj, por në fakt është një ngjarje që ka ndodhur me t’vërtetë dhe për hero është një qytetar i thjeshtë.
Dilan Bets (Dylan Betts) sapo kishte përfunduar punën dhe po kthehej në shtëpi me makinën e tij. Rrugës, shikon krejt rastësisht një vilë njëkatëshe e cila kishte marrë flakë. Pa u menduar dy herë, Dilan ndalon makinën dhe nxiton të afrohet tek shtëpia, për të parë nëse kishte njerëz brenda. Dera e hyrjes ishte e bllokuar dhe Dilan arrin ta hapë me forcë. Me të hyrë brenda, shikon se tymi dendur kishte mbuluar të gjithë banesën. Në këtë moment ai nis të thërrasë ‘a ka njeri brenda’.
Në fakt në shtëpi ishte një person brenda, pronati i banesës. Dejvid Mekonell (David McConnell) kishte vendosur të shtrihej për të bërë një sy gjumë në orarin e drekës. I moshuari ishte shtrirë dhe e kishte zënë gjumi. Një kërcitje e çuditshme e zgjoi për pak çaste, por i moshuari mendoi se nuk ishte diçka me rëndësi dhe vendosi të mbyllë sytë sërish.
Pak minuta më tutje, shpërthen alarmi i zjarrit. I moshuari çohet me shpejtësi dhe me të hapur derën e dhomës, shikon valën e madhe të flakëve dhe tymin e trashë që kishte veshur gjithçka.
Pikërisht në këtë kohë ai dëgjon zërin e një burri që thërret, “a ka njeri brenda”. I moshuari po ashtu bërtet dhe për pak çaste të dy burrat takohen. Dilani merr në krahë të moshuarin dhe arrin të nxjerrë nga shtëpia.
Ngjarja ndodhi disa ditë më parë në SHBA. Burri që shpëtoi të moshuarin u pyet nga media vendase se përse vendosi të ndalojë makinën e të shkojë për të rrezikuar jetën e tij.
Si përgjigje, Dilani tha “E përse jo? Kjo është Amerika”
I moshuari nga ana tjetër tregoi se me siguri ai do të ishte i vdekur, nëse nuk do të ishte për aktin heroik të Dilan Betsit.
“Kur hapa derën e dhomës, nuk mund të shihja asgjë prej tymit. Kam shumë arsye për të qenë falenderues. Mendoj se do të vdisja prej zjarrit e tymit. Vajza ime vogël e quan Dilanin heroin e familjes sonë.”-tha i moshuari.