Prishtinë: 56 vjeçarja i merr jetën kunatit

Një grua në të 50-tat ka vrarë me armë zjarri kunatin e saj në Prishtinë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të martës në rrugën ‘Ismet Krasniqi’. Viktima, i identifikuar si Xhevdet Millaku, u ekzekutua nga kunata e saj Nazmije Millaku, 56 vjeçare.

Viktima punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa. Viktima e autori jetonin në të njëjtën godinë, por hyrjet e tyre ishin të ndara. Pas krimit, gruaja është arrestuar nga policia.

Përmes zëdhënëses, prokuroria e Prishtinës thotë se shkak i vrasjes kanë qenë përplasjet e problemet familjare.

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.

Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.”, theksohet në njoftimin e prokurorisë së kryeqytetit.

Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha policia në njoftimin e saj.