Rasti pazakontë, qeni udhëton 6 km për të kërkuar ndihmë pasi pronari pëson aksident me makinë

 Thonë shpesh se qeni është miku më i mirë i njeriut. Për fatin e mirë të një burri, shprehja rezultoi e vërtetë në rastin e tij. Brandon Garrett po udhëtonte me makinë në një zonë rurale të Oregonit (SHBA) kur papritur pësoi aksident. Makina e tij doli nga rruga dhe ra disa metra poshtë, në një përrua. Garret ishte nisur të ribashkohej me familjarët e tij të cilët kishin ngritur një kamping.

Burri udhëtonte me qenin e tij, i cili pas aksidentit doli nga makina dhe nisi të ecë e vrapojë për më shumë se 6 kilometra, derisa mbërriti në kampin ku ishin familjarët e të aksidentuarit. Ky i fundit, i plagosur, kishte mundur të zvarritej disa metra larg makinës së bërë copash dhe natën e kishte kaluar në vendin ku ndodhi aksidenti.

Familjarët ishin shqetësuar për mosmbërritjen e Garrett, ndërsa kur hasën qenin, kuptuan se diçka kishte shkuar keq. Policia u njoftua dhe nisën kërkimet. Përgjatë rrugës, u gjet makina dhe burri i plagosur, i cili u dërgua me urgjencë në spital. Pavarësisht lëndimeve, mjekët thanë se Garrett ishte jashtë rrezikut për jetën… dhe për këtë i duhet të falenderojë qenin