Shkodër: Shisnin “vaj ulliri” të përzier me produkte të dëmshme, shpallen në kërkim çifti nga Dimali

Një rast i rëndë i abuzimit me produktet ushqimore është zbuluar, kësaj here në Shkodër e ku përgjegjës janë një çift bashkëshortësh në moshat 50 e 43 vjeç.

Shtetasit E.B 50 vjeç dhe V.B 43 vjeçe, kishin marrë me qira dy magazinë në Shkodër, ku janë gjetur e sekuestruar 300 litra vaj ulliri. Vajit në fakt, i shtoheshin përbërës helmues e të dëmshëm për shëndetin, ndërsa “produkti” shitej në tregjet e qytetit.

Policia ka ndaluar një grua 40 vjeçare me inicialet J.M, e cila ishte pronarja e 2 magazinave të dhëna me qira në adresë të çiftit të bashkëshortëve, të dy banues në Dimal. Policia i ka shpallur në kërkim dy bashkëshortët dhe ka nisur procedim në gjendje të lirë për pronaren e magazinave.

Çifti akuzohet për një seri veprash penale, ku përfshihen “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve”, “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Ushtrimi i aktivitetit të paliçencuar ose i paregjistruar në organet tatimore”.