Javën që lamë pas përcollën historinë prekëse të një 12 vjeçari të quajtur Altin, i cili kishte probleme në gjunjët e këmbëve dhe s’mund të ecte. Me ndihmën e shqiptarëve bamirës, Altini mundi të kryejë një operacion që i ndryshoi jetën dhe i riktheu sërish buzëqeshjen në fytyrë.
Por familja nga Zallbastari, kishte dhe një sërë hallesh të tjera. Të varfër e në pamundësi shpesh herë për të siguruar ushqimin për fëmijët, nëna e babai i Altinit ishin detyruar të merrnin borxhe.
Në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, nëna e Altinit, Valmira, erdhi në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” për të falenderuar të gjithë bamirësit. Aty ajo u surprizua nga Elvis Naçi, i cili ftoi në një lidhje live Shpëtim Useinin, një shqiptar i cili jeton në SHBA. Shpëtimi tha se ai do t’i shlyejë borxhet familjes… e madje edhe më tepër.
Shpëtimi Useini: Ju përshëndes shumë juve, në veçanti përshëndetje për ju vëlla Elvis sepse u keni dhënë vëmendje të madhe vuatjeve të njerëzve. Ju thoni është emision, por vëlla, ky është një mision dhe Zoti juve, ju shpërbleftë me të gjithë të mirat. Fondacioni nisi me dy tavolina dhe kishte për mision që nevojtarët të ushqeheshin. Me sakrifica, punë e drejtësia që keni treguar, Zoti ia shtoi bujarinë dhe mundësinë këtij fondacioni.
Elvisi: Shpëtim Useini gjithmonë ka qenë me ne që në hapat e parë. Gjithmonë vëlla Shpëtimi ka qenë kontribues.
Shpëtim Useini: Në fillim jam shumë tepër i gëzuar për operacionin e Altinit që shkoi me sukses. Inshallah Zoti ia lehtëson dhimbjen e inshallah ai bëhet i fortë. Mua më preku edhe fjala e nënës së Altinit, sepse nën këmbët e nënës është xhehneti. Dëgjova dhe më preku kur tha se kam borxhe… në këtë muaj të Ramazanit, kam marrë unë përsipër t’ja laj borxhet (5 milionë lekë të vjetra). Po ashtu, dua të dhuroj dhe 2 mijë dollarë të tjera për këtë familje, që të shpenzojnë në këtë muaj të Ramazanit.
Valmira: Zoti të shpërbleftë, faleminderit.
Elvisi: Pra zonja Valmira, 7 mijë dollarë. Do Zoti ia shpërblen Useinit këtë vepër. Me thënë të drejtën, Shpëtimi nuk ka qejf të dalë në televizor, e unë ia kam bërë obligim. Në Kur’anin famëlartë, thuhet bëni të mira fshehtas dhe haptaz. Në këtë botë ku jetojmë, ku bëhen haptaz plot budallallëqe, pse të mos bëjmë haptaz edhe këto gjëra të mira. Pasha Zotin, vëllai jonë Shpëtimi, nuk e njeh Valmirën fare. Ato para ai i fiton me djersë, ka një restorant dhe punon gjithë ditën… e sërish nuk i dridhet dora, që në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, t’i japë kësaj zonje.