Tre automjete bëhen copash në aksidentin tragjik në Bari, 2  viktima… mes tyre një 19 vjeçar shqiptar

Dy persona kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur gjatë mesnatës në Bari të Italisë fqinje. Në mesin e viktimave është dhe një 19 vjeçar shqiptar, i cili jetonte në Gioia del Colle.

Në aksident u përfshinë tre makina që janë përplasur fuqimisht në rrugën që lidh Acquaviva delle Fonti dhe Gioia del Colle.

Dy viktimat ishin shoferë në makinat e tyre, respektivisht 19 vjeçari shqiptar dhe një 44 vjeçar. Ky i fundit u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda që kishte marrë. Shoferi i makinës së tretë arriti të shpëtojë pa dëmtime serioze.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Hetuesit kanë nisur punën për të hedhur dritë mbi aksidentin tragjik.