“U bënë gafa të pashpjegueshme” Misteri i fundosjes së jahtit në Itali, flet CEO kompanisë që prodhoi anijen

Një seri me veprime ‘të pashpjegueshme dhe gabime të paarsyeshme’ të ekipit solli fundosjen dhe më pas vdekjen e miliarderit britanik Mike Lynch, së bashku me 6 persona të tjerë.

Ky është shpjegimi që ka dhënë manifakturuesi i jahtit 35 milionë dollarësh, raporton Reuters.

Jahti në pronësi të Lynch, i gjatë 56 metër dhe me 22 persona në bord (12 pasagjerë e 10 ekuipazh) u fundos të hënën në brigjet e Siçilisë veriore, në një hark kohor fare të shkurtër.

Të shumta misteret e fundosjes së superjahtit, i cili sipas medias italiane u zhyt në ujë brenda 60 sekondave, pas përkeqësimit të ndjeshëm të motit. Jahti u përmbys e më tutje u fundos në 50 metër thellësi, duke i marrë jetën 6 personave.

Anija e ndërtuar në vitin 2008 ishte riparuar dy herë, siç kanë zbuluar autoritetet. Në dy herët e riparimit të jahtit të fundosur, i fundit shërbim i bërë ishte kryer në vitin 2020, por jo nga vetë kompania prodhuese.

Kompania që prodhon jahtet luksoze (Perini Navi) është një manifakturues italian. Kompania shpjegoi se e pamundura ndodhi ditën e tragjedisë. Sipas CEO-s së kompanisë, jahti u fundos pasi mori ujë. Nga ana tjetër, ai vë theksin tek një seri me gabime.

“Anija pësoi një seri me gabime të paarsyeshme e të pashpjegueshme, e pamundura ka ndodhur në atë jaht… por anija u përmbyt sepse mori ujë. Se nga ku mori ujë, do ta tregojë hetimi”– shpjegoi Giovanni Costantino, CEO i kompanisë që prodhon jahtet e luksit.

Costantino përjashtoi mundësinë se gabimet kanë të bëjnë me dizajnin e jahtit, duke shtuar se në 16 vite të përdorimit të anijes, mjeti nuk ka pësuar asnjë dëmtim dhe është përballur me mot shumë herë më të rëndë sesa ai i të hënës, natën kur ndodhi tragjedia.

CEO i kompanisë tha se faji ka qenë i ekuipazhit të superjahtit, që sipas tij kanë bërë gabimin e pabesueshëm të mospërgatitjes, duke e ditur se një stuhi po vinte.

Më tutje Costantino shpjegon se pasagjerët në bord duhej të ishin thirrur jashtë kabinave të tyre, spiranca duhej të ishte ngritur, dyert duhej po ashtu të ishin mbyllur e të tjera veprime ‘ standarde’ që bëhen kur moti përkeqësohet.

6 nga 12 pasagjerët në jaht humbën jetën. 5 trupa u gjendën brenda anijes së fundosur, në thellësi 50 metër. Kërkimet përfunduan të premten me gjetjen e trupit 6-të, atë të vajzës së miliarderit britanik Mike Lynch.

“Nëse do të ishin ndjekur të gjitha procedurat korrekte, të gjithë pasagjerët do të kishin shkuar në gjumë pas një ore (sa zgjati stuhia) dhe të nesërmen do të vijonin udhëtimin e tyre”-përfundoi CEO i kompanisë që ndërtoi superjahtin, raportoi Reuters.

Një tjetër jaht ishte ankoruar disa dhjetëra metra larg anijes së përmbytur. Anija në fjalë nuk pësoi asnjë dëmtim prej stuhisë. Kapiteni i anijes së fundosur, i cili i shpëtoi vdekjes së bashku me ekuipazhin e tij, ende nuk ka folur publikisht mbi tragjedinë. Prokurorët italianë vijojnë hetimet dhe do të japin një deklaratë zyrtare ditën e shtunë.