Zbulohet vendbanim 7 mijë vjeçar në Podgorie të Maliqit

Pas tre vitesh kërkimi e pune të përbashkët të tre ekipeve arkeologjike, janë zbuluar në fshatin Podgorie të Maliqit, gjurmë të rrethimit të një vendbanimi të lashtë, që daton afro 5 mijë vite para erës sonë.

Kërkimet u zhvilluan nga ekspedita e përbashkët mes arkeologëve shqiptarë, atyre të Universitetit të Këlnit në Gjermani dhe Universitetit të Bufalos në SHBA.

Rrethimi i zbuluar rezulton të jetë në formën e një hendeku që mbronte vendbanimin nga kafshët e egra. Arkeologët kanë arritur të dokumentojnë se kemi të bëjmë me një vendbanim 7 mijë vjeçar  që i përket periudhës së neolitit të mesëm.

Kërkimet janë shtrirë po ashtu dhe në zonën e Luadishtit, ku besohet se gjenden gjurmë dhe objekte të tjera. Arkeologia shqiptare Edlira Andoni, shpjegoi punën e deritanishme të grupit të përbashkët arkeologjik dhe gjetjet e deritanishme.

“Ne zbuluam rrethimin e vendbanimit, konsiston në një lloj kanali, nuk është fortifikim, por një formë për të treguar se ku ndodhet vendbanimi. Për të mbajtur kafshët e zbutura apo të egra.

Gjatë kërkimeve të këtij viti ekspedita u fokusua tek gjetja e gjurmëve dhe elementëve të banesave neolitike. Rezultatet e studimeve hedhin dritë mbi arkitekturën e banesave, të ndërtuara kryesisht me baltë të pjekur dhe dru.

Po mbledhim të dhëna të reja për datimin e vendbanimit, për të ndërtuar aktivitetet ekonomike, sociale të banorëve neolitikë.”-tha ajo.